Bahtiri: Ideja për bashkimin e Mitrovicës është përkrahur nga Veseli, Haradinaj dhe Limaj
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, ku është diskutuar ideja për bashkimin e Mitrovicës, ka thënë se kërkesa e qytetarëve mitrovicas për bashkimin e qytetit është legjitime pavarësisht se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka kthyer përgjigje negative.
Ai ka thënë se kërkesë për bashkimin e Mitrovicës i ka drejtuar edhe Qeverisë së Kosovës, duke i bërë thirrje kësaj të fundit që ta shqyrtojë atë.
Bahtiri ka thënë se për iniciativën e tij ka marrë mbështetje edhe nga përfaqësues politik të nivelit qendror.
“Kjo kërkesë e jona do të zbatohet pikë për pikë. Nuk është iniciativë që e ka marrë kryetari i komunës. Kryetari i Komunës nuk sjellë diçka në Kuvend pa u konsultuar mirë. Këtë iniciativë e përkrahin shumica e partive në nivelin qendror, duke u nisur nga Kadri Veseli, Daut Haradinaj, Agim Veliu, Fatmir Limaj, e shumë të tjerë”, ka thënë Bahtiri.
Ai ka thënë se kësaj ideje do t’i shkojë deri në fund, duke pohuar se nuk do të lë gur pa lëvizur deri në bashkimin e Mitrovicës.
“Nuk kemi nisur diçka që do të mbesim në gjysmë të rrugës”, ka thënë Bahtiri.
Nga sot Bahtiri do të nisë edhe peticionin me qytetarët për bashkimin e Mitrovicës.