Bahtiri i jep prioritet zhvillimit të bujqësisë
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, është duke treguar përkushtim dhe vendosmëri të jashtëzakonshme për të përmbushur premtimet e bëra për t’i dhënë prioritet zhvillimit të sektorit të bujqësisë dhe mbështetjes së fermave të Komunës.
Pas subvencionimit të vazhdueshëm të fermerëve dhe mbështetjes së tyre për projekte të shumta e të ndryshme gjatë këtij viti, ai të premten u ka dhënë mbështetjen më të fuqishme atyre dhe të gjitha fushave të sektorit të bujqësisë në përgjithësi.
Kjo mbështetje ka të bëjë me kreditimin në kushte tepër të volitshme të fermerëve për realizimin e projekteve të ndryshme.
Duke e pas bujqësinë prioritet në këtë mandat të qeverisjes së tij, që është i dyti me radhë, kryetari Bahtiri ka nënshkruar një marrëveshje me përfaqësuesin e BPB-së, Artan Sadiku, zëvendëskryeshef ekzekutiv, për kreditimin e fermerëve të Komunës së Mitrovicës, për të cilët komuna do të paguajë interesat e kredive (kamatën) që fermerët do i marrin nga BPB-ja.
Me marrëveshjen e nënshkruar fermerët nuk do të paguajnë asnjë cent për shërbimet administrative.
Komuna dhe BPB-ja me këtë marrëveshje janë pajtuar që shuma minimale për kreditë e dhëna të jetë 5.000 euro, ndërsa ajo maksimale 10.000 euro, kurse në raste të veçanta, kur fermeri ka projekt të madh e të rëndësishëm, shuma mund të arrijë deri në 50.000 euro.
Me rastin e dhënies së kredive për fermerët, BPB do të merr parasysh vlerësimin e Komisionit Komunal për caktimin dhe zgjedhjen e fermerëve të cilët financohen sipas kësaj Marrëveshje.
Kohëzgjatja për kthimin e kredisë, është tre deri në katër vjet. Shuma e përgjithshme e kredisë që do të jep BPB-ja arrin minimumi në një milion euro, ndërsa që Komuna do të paguaj obligime për kamata, të cilat do të jenë të volitshme, rreth 80.000 euro.
/Epoka e re/