Bahtiri kërkon nga institucionet qendrore ndërprerjen e ndërtimeve ilegale në veri
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pranuar të mërkurën një peticion me rreth 115 nënshkrime nga qytetarët e lagjes “Kroi i Vitakut” nga qyteti i Mitrovicës, të cilët kanë shprehur shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre lidhur me ndërtimin e banesave kolektive të destinuara për pjesëtarët e komunitetit serb.
Me këtë rast, kryetari Bahtiri duke u solidarizuar me qytetarët e kësaj lagjeje, ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi, Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, të ndërmarrin veprimet e nevojshme duke u bazuar në kompetencat e tyre, për ndërprerjen e këtyre ndërtimeve të paligjshme dhe ilegale.
Bahtiri ka theksuar se iniciativa të tilla janë diskriminuese ndaj popullatës shqiptare në atë pjesë të qytetit, duke marrë parasysh edhe faktin që nga pjesa veriore e Mitrovicës janë zhvendosur mbi 15 mijë shqiptarë, ku shumica prej tyre edhe sot e kësaj dite nuk kanë mundur të kthehen në pronat e tyre.
“Në lidhje me këtë shqetësim të qytetarëve të “Kroit të Vitakut”, ne si qeverisje lokale mbështesim shqetësimin e ngritur nga këta banorë duke iu drejtuar organeve kompetente të nivelit qendror për ndërprerjen e këtyre ndërtimeve”, ka thënë Bahtiri.
Bahtiri ka thënë se shpreson se zëri i ngritur i këtyre qytetarëve i shprehur përmes këtij peticioni të merret parasysh dhe kërkesa të realizohet sa më parë.
/Epoka e re/