Bahtiri kërkon nga Osmani ta shtyjë seancën e thirrur nga LDK-ja për rrëzimin e qeverisë
Kryetari i Mitrovicës dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka kërkuar nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, që ta shtyjë seancën e thirrur nga LDK-ja për mocionin e mosbesimit për qeverinë Kurti.
“Ftoj kryetaren e Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani, që të shtyjë për një kohë të përshtatshme seancën e thirrur për mocionin e ngritur nga LDK-ja, pasi që nuk ka kushte për mbajtjen e saj bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për masa mbrojtëse nga koronavirusi Covid-19. Rreziku nga koronavirusi Covid-19 është shumë i madh, ku sot edhe kryeministri i Shqipërisë dha lajmin se parashikohet që 60-70% e popullsisë të preket nga ky virus. Andaj, duhet të marrim masa mbrojtëse ekstreme për mos përhapjen e tij”, ka shkruar Bahtiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/