Bahtiri kërkon nga Qeveria ta dërgojë në Kuvend propozimin për bashkimin e Mitrovicës
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se bashkimi i Mitrovicës do të ndodh, pavarësisht kundërshtimeve.
“Bashkimi i Mitrovicës do të ndodh pavarësisht kundërshtimeve, nuk ka rrugë tjetër. Unë kam kërkuar bashkimin e qytetit të Mitrovicës në një komunë të vetme, ashtu siç ka qenë gjithmonë, kërkesë e cila është mbështetur edhe nga të gjitha partitë politike në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës. Ndërsa, tash Qeveria duhet të bëjë veprime konkrete për ndryshimin e ligjit përkatës, që do ta bënte Mitrovicën me një komunë të vetme”, ka shkuar Bahtiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se qarqe të caktuar politike në Kosovë janë duke e kundërshtuar nismën për bashkimin e Mitrovicës.
“Qarqe të caktuara politike po e kundërshtojnë këtë nismë, por që nuk po i kundërshtojnë veprimet për ndarjen e Kosovës të kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri. Pra, si është e mundur që unë nuk kam drejt të punoj për bashkimin e qytetit, i cili gjithmonë ka qenë një dhe i vetëm, e dikush tjetër prej kolegëve të mi serb paska drejt të kërkoj ndarjen e Kosovës? Unë e di saktë çka dua dhe jam thellësisht i bindur se bashkimi do të ndodh, gjë që do ta dëshmoj e ardhmja e afërt. Mirëpo, me vjen keq që institucionet qendrore nuk e kanë këtë informacion, e që do të duhej ta kishin”, ka shkruar Bahtiri.
Bahtiri i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të veprojnë sa më shpejt dhe ta dërgoj në Kuvend propozimin për ndryshimin e ligjit që do të bashkonte Mitrovicën në një komunë, sepse nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit të qytetit. “Ata që thirren në Planin e Ahtisarit duhet ta dinë se ai është projekt i implementuar dhe tejkaluar, që e ka sjellë pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, Kosova nuk mund të mbetet peng i asnjë plani dhe asnjë njeriut, po duhet të zhvillohet konform asaj që e bën funksionale shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës”, ka shkruar Bahtiri.
/Epoka e re/