Kërkohet repelimi i kafshëve si masë parandaluese kundër etheve hemorragjike
Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, e cila është mbajtur të hënën, ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë që të kryejë repelimin kafshëve si masë parandaluese ndaj virusit të Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK), pasi sipas tij vitin e kaluar ka dështuar në kryerjen e këtij obligimi.
Po ashtu nënkryetari Berisha ka kërkuar nga Këshilli ndërministror për luftimin dhe parandalimin e EHKK-së, që sa më shpejt të mbajë takim dhe të autorizojë organet kompetente për zbatimin e masave parandaluese në raport me ethet hemorragjike, pasi sipas tij vitin e kaluar ka dështuar repelimi i kafshëve si njëra prej masave më efektive në parandalimin e këtij virusi.
Gjithashtu Berisha ka kërkuar nga sektori i shëndetësisë që të vazhdojë me fushatat e vetëdijesimit dhe zhvillimin e procedurave për spërkatjen e zonave endemike, si masa parandaluese.
Në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve të Komunës së Malishevës, është raportuar për disa nga aktivitetet që drejtoritë komunale janë duke i zhvilluar, si në fushën e investimeve kapitale, ashtu edhe në aktivitetet tjera që lidhen me zbatimin e përgjegjësive dhe detyrave nga ana e drejtorive përkatëse.
Në këtë mbledhje është bërë me dije se janë duke u bërë përgatitjet për shënimin e “Epopesë së UÇK-së”, si dhe për shënimin e Ditës së Mësuesit, ku janë paraparë të zhvillohen një varg aktivitetesh.
/Epoka e re/