Bahtiri kërkon zbatimin e ligjit në Mitrovicë
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka kërkuar nga drejtorët komunalë që të angazhohen maksimalisht për realizimin e planeve të punës, në mënyrë që të ofrohen shërbime sa më cilësore dhe efikase për qytetarë.
Po ashtu, ai ka kërkuar që të zbatohet ligji në këtë komunë. “Rend dhe rregull duhet të ketë në administratën komunale. Zbatimi i ligjit është parakusht esencial për efikasitet në punë dhe në ofrimin e shërbimeve për qytetarë. Jam i vendosur dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojë që në Komunën e Mitrovicës të ketë anarki dhe moszbatim të ligjit. Kjo vlen edhe për lëshimin e lejeve për ndërtim, që do të thotë se nuk ka më ndërtim pa leje pa i plotësuar kriteret e ndërtimit”, ka thënë Bordit në mbledhjen e Bordit të drejtorëve.
Në këtë mbledhje është biseduar edhe për fabrikën e përpunimit të gomave, të cilës i është ndërpre prodhimi nga ana e inspektorëve komunalë, për shkak të mungesës së lejeve adekuate për punë.
Është thënë se ende nuk dihet me saktësi se kush është pronar i kësaj fabrike dhe se përfaqësuesit e saj nuk kanë ardhur për bisedë në takimin e caktuar më parë.
Për shkak të kësaj siç ka njoftuar Komuna e Mitrovicës, inspektorët kanë ndaluar hyrjen në objektin e fabrikës, me qëllim që të ruhet ambienti dhe shëndeti i qytetarëve. Krejt në fund, në këtë mbledhje është konstatuar se buxheti i Komunës së Mitrovicës për vitin 2019 do të shënojë një rritje të dukshme, pasi që parashihet të jetë rreth 20 milionë euro.
/Epoka e re/