Bahtiri, LDK-së: Kryeparlamentari është çështje e përfunduar
Kryetari i Mitrovicës dhe zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka thënë se LDK-ja duhet ta kuptoj se nuk ka kthim para 26 dhjetorit 2019, ku Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se LDK-ja duhet t’i lënë anash interesat e ngushta partiake dhe ta nënshkruajë marrëveshjen për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen.
“Marrëveshja e koalicionit duhet të përfundohet sa më shpejt, por LDK-ja dhe veçanërisht Lutfi Haziri duhet ta kuptojnë se kthim para 26 dhjetorit nuk ka. Nga 75 deputetë që kanë votuar ‘pro’, 27 deputetë të LDK-së e kanë votuar me vullnetin e lirë kryeparlamentarin, andaj kjo pikë tashmë është e përfunduar, sepse nuk mund të bëhen lojëra me veprime të tilla. Kreu i LDK-së duhet t’i lë anash interesat e ngushta partiake apo grupore dhe të vendos para vetes interesin e qytetarëve, duke nënshkruar marrëveshjen e koalicionit qeverisës”.
“Nuk kemi kohë për të humbur për ta çuar në vend vullnetin e qytetarëve të shprehur me votën e lirë në zgjedhjet e 6 tetorit, prandaj LDK nuk bën të bëjë bllokadë institucionale, sepse populli ynë mjaftë ka vuajtur dhe e presin vendime jo të lehta në të ardhmen e afërt. Pavarësisht zvarritjeve Qeveria do të votohet në fund nga të paktën 75 deputetë, ku prej tyre do të jenë 27 të LDK-së”, ka shkruar Bahtiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/