Bahtiri mbajti tubimin e dytë publik me qytetarë për vitin 2019
Kryetari i Komunës së Mitrovicë, Agim Bahtiri, ka mbajtur të martën tubimin e dytë publik me qytetarë për këtë vit, ku është diskutuar rreth punës së ekzekutivit të komunës përgjatë vitit 2019.
Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe një pjesëmarrje e kënaqshme e qytetarëve.
Pasi ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrje, kryetari Bahtiri ka thënë se qëllimi i këtij takimi është që qytetarët të njoftohen për punët që po bëhen në Komunën e Mitrovicës, problemet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohen në punën e përditshme, si dhe që qytetarët të japin vërejtjet e tyre dhe të parashtrojnë kërkesa, të cilat, nëse janë të arsyeshme dhe të pranueshme, gjithsesi se do të realizohen.
Në vazhdim, Bahtiri i ka njoftuar pjesëmarrësit me punët që janë bërë përgjatë këtij viti, duke thënë se gjatë këtij viti është punuar me shumë përkushtim në përmbushjen e kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, krijimin e klimës dhe ambientit për investime, realizimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore, mbështetjen dhe nxitjen e zhvillimit në bujqësi, kursimin e mjeteve nga mallrat dhe shpenzimet.
Të pranishmit kanë shtruar pyetje dhe sugjerime ekzekutivit për punën njëvjeçare, ndërsa drejtorët e drejtorive u kanë jap përgjigje të gjithë atyre që kanë drejtuar pyetje për projektet që janë realizuar gjatë këtij viti.
/Epoka e re/