Bahtiri: Mitrovica, shembull i mirë i menaxhimit të situatës për parandalimin e koronavirusit
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka mbajtur mbledhje të radhës me shtabin emergjent të kësaj komune, me ç’ rast është diskutuar lidhur me gjendjen aktuale dhe shpalosjen e raportit të punës për marrjen e masave parandaluese të virusit COVID-19.
Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësues të ekipes së MPBAP-së, nga Policia e Kosovës, FSK-ja dhe AME-ja.
Fillimisht, kryetari Bahtiri ka falënderuar akterët relevantë të shtabit emergjent, dhe Policinë e Kosovës për menaxhimin e suksesshëm të kësaj situate, si dhe të gjithë qytetarët mitrovicas të cilët vazhdojnë të zbatojnë në përpikëri të gjitha masat e marra nga Komuna dhe ato të nivelit qendror, ku falë këtij bashkëpunimi Mitrovica jugore nuk ka ende asnjë rast të konfirmuar me COVID-19.
Po ashtu, kryetari Bahtiri potencoi se që nga momenti i shfaqjes së këtij virusi, Komuna e Mitrovicës, dhe donatorë të ndryshëm u kanë dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve të cilët kanë nevojë për pako ushqimore dhe higjienike, dhe se nga këto ndihma nuk do të anashkalohet asnjë qytetar i cili ka nevojë në këtë kohë pandemie.
“Deri më tani janë shpërndarë 1 630 pako ushqimore dhe higjienike për familjet në nevojë në Mitrovicë, ditët në vijim pritet të shpërndahen edhe 1 500 pako tjera nga Komuna, si dhe 500 pako tjera të dhuruara nga biznesmeni Afrim Zeneli me familjen e tij, për të cilët jemi shumë falënderues dhe mirënjohës”, ka thënë Bahtiri.
Në këtë mbledhje, anëtarët e shtabit emergjent kanë raportuar për gjendjen aktuale dhe vlerësimin e zbatimit të masave parandaluese të virusit COVID-19, ku është kërkuar nga qytetarët të vazhdojnë me zbatimin e të gjitha vendimeve nga niveli lokal dhe ai qendror, duke përfshirë edhe vendimin e fundit e ndërmarr nga Ministria e Shëndetësisë, pasi që ka rëndësi të madhe në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.
/Epoka e re/