Bahtiri ndalon punën e të gjitha taksive

16 mars 2020 | 10:45

Në bazë të situatës së krijuar nga rritja e numrit të rasteve të infektuara me virusin COVID 19, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe nënkryetari Faruk Mujka, sot kanë pritur në takim pronarët e kompanive të taksive që operojnë në qytetin e Mitrovicës.

Në këtë takim kryetari Bahtiri ka kërkuar nga të gjitha kompanitë e taksive që veprojnë në Mitrovicë ta ndërpresin punën e tyre përkohësisht, pasi ky sektor paraqet rrezikshmëri te punëtorët dhe qytetarët për përhapjen e këtij virusi. “Duke u bazuar në këshillat e mjekëve profesionistë dhe në rekomandimet e IKShP-së, ku kërkohet që distanca në mes të njerëzve të jetë së paku 1 metër, e nëse marrim parasysh hapësirën e automjeteve të taksive të cilat kanë 5 ulëse për pasagjerë, kjo rezulton me faktin se hapësira është shumë e ngushtë, andaj e shoh të arsyeshme që ta pezulloni përkohësisht punën tuaj në mënyrë që të mos ketë rrezik në shëndetin e punëtorëve tuaj dhe të qytetarëve të cilët e shfrytëzojnë këtë shërbim”, tha kryetari Bahtiri.

Vendimin e kryetarit Bahtiri për ndalimin e përkohshëm të punës së taksive e përkrahën unanimisht të gjithë pronarët e kompanive të taksive, duke thënë se janë të gatshëm të jenë në dispozicion të kërkesave të kryetarit dhe për çdo rast t’i ndalin në ndihmë pa asnjë çmim. Gjithashtu, kryetari Bahtiri kërkon nga Policia e Kosovës që këtë vendim të zbatojë edhe në kufijtë administrativë të Komunës së Mitrovicës dhe të mos lejojë asnjë taksi nga komunat e tjera regjionale të veprojnë në qytetin tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryebashkiaku i Miamit, Francis Suarez ka Covid-19, por nëse do…