Bahtiri nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi me organizatën ‘Qatar Charity’
Komuna e Mitrovicës dhe organizata humanitare “Qatar Charity” kanë nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi për realizmin e projektit “Kabinet i Informatikës” në shkollën fillore “Musa Hoti” dhe realizimin e pesëmbëdhjetë projekteve që kanë të bëjnë me Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Mitrovicës.
Memorandumin e kanë nënshkruar në emër të komunës, Agim Bahtiri dhe në emër të “Qatar Charity”, drejtori Mahmoud Shaker.
Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit ishin të pranishëm edhe drejtori i Arsimit, Iset Beka dhe drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ekrem Sadiku.
Qëllimi i nënshkrimit të memorandumit është përmirësimi i gjendjes ekonomike, me theks të veçantë përmirësimi i kushteve në objektet shkollore si dhe mbështetja e fermerëve.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka falënderuar drejtorin e organizatës “Qatar Charity” për mbështetjen e deritanishme në zhvillimin ekonomik dhe implementimit të shumë fondeve në programet e grandeve, subvencioneve dhe mbështetjes në forma të ndryshme që mundësojnë ndërtimin e një baze zhvillimore për një jetë më të mirë në vendin tonë. “Krijimi i vendeve të punës dhe ndërtimi i rrethanave lehtësuese për një zhvillim të bujqësisë është pikësynimi im. Organizata ‘Qatar Charity’ me ndihmën e saj, duke realizuar projekte të shumta e të rëndësishme, na e ka bërë punën më të lehtë në realizimin e objektivave tona. Ne u jemi mirënjohës drejtuesve të ‘Qatar Charity’ për këtë mbështetje të çmuar dhe për punën e madhe humanitare që kanë bërë në Mitrovicë”, ka thënë Bahtiri.
Drejtori i organizatës “Qatar Charity”, Mahmoud Shaker, i ka thënë kryetarit Bahtiri se organizata që ai e drejton gjithmonë e ka pas parasysh Mitrovicën gjatë përcaktimit të prioriteteve dhe se do ta ketë edhe në të ardhmen, pikërisht për shkak të gjendjes së saj specifike.
Ai ka thënë se për këtë arsye, shumë projekte që kanë qenë në realizim e sipër në Mitrovicë janë rritur numerikisht.
/Epoka e re/