Bahtiri: Nuk do të lejojë që fshati Vllahi të jetë nën administrimin e shtetit të Serbisë
Në shkollën fillore “Jashar Begu” në fshatin Vllahi, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe nënkryetari Faruk Mujka kanë mbajtur tubimin e paralajmëruar me banorët e këtij fshati.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi dhe një pjesëmarrje masive e banorëve të fshatit Vllahi, Zijaç, Melenicë dhe Dedisë.
Qëllimi i këtij takimi ishte që së bashku me përfaqësuesit e institucioneve lokale, banorët e këtyre fshatrave të shprehin shqetësimet e tyre lidhur me deklarimet e fundit të disa politikanëve por edhe me publikimin e një harte, ku sipas ndarjes së re pas “Marrëveshjes finale me Serbinë”, fshati Vllahi do të mbetej nën administrimin e komunave veriore, respektivisht të Serbisë.
Fillimisht fjalën e mori kryetari i këshillit të fshatit Vllahi, Ramadan Ademi, i cili një falënderim të posaçëm pati për praninë e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, dhe për interesimin e madh të banorëve të kësaj ane për të diskutuar lidhur me brengat më të cilat ata që një kohë janë duke u përballur.
“Brengosja e banorëve të fshatit Vllahi ka të bëjë me temën e shkëmbimit të territoreve, dhe prania e disa personave të panjohur të cilët po shfaqen në territorin tonë me qëllime të panjohura duke sjellë pasiguri tek banorët e fshatit Vllahi do të mbetej nën administrim të shtetit të Serbisë. Ky rajon ka pasuri të mëdha nëntokësore të cilat na i ka dhuruar Zoti, dhe ne nuk do të lejojmë askënd që t’i prekë e lë më t’i marrë ato, sepse Vllahia nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Zveqanit por gjithmonë ka qenë dhe do të jetë pjesë e Mitrovicës”, ka thënë përfaqësuesi i këshillit të fshatit, Ademi.
Banorët e tjerë të fshatit kanë shprehur shqetësimet e tyre duke theksuar se si ditët e fundit po ka vizita nga persona të panjohur të cilët po prezantohen si shtetas të huaj por që po flasin gjuhën serbe.
Dyshimi kryesor thonë ata se qëndron në interesimin e Serbisë për nëntokën e Vllahisë dhe të Zijaçës në të cilat deri tani janë bërë 37 shpime hulumtuese dhe kanë rezultuar me rezerva të mëdha të mineraleve të çmueshme në tregun botëror.
Po ashtu Zenel Hajdari, banor i fshatit Zijaç e përmendi edhe faktin që para dy muajsh në fshatin Vllahi janë gjetur disa shenja të panjohura për të cilat pastaj Agjensioni Kadastral konfirmoi se janë bërë nga ta. Kjo edhe më shumë i bën dyshues banorët e Vllahisë për një skenar të padëshirueshëm për fshatin e tyre.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, pasi dëgjoi të gjitha mendimet e banorëve nga katër fshatrat, ai në fjalën e tij ka thënë se është kënaqësi e veçantë që është në mesin e shaljanëve, për të cilët gëzon respekt të madh ndaj tyre për fjalën dhe besën që kanë.
Bahtiri ka thënë se qëndrimi i tij sa i përket temës së shkëmbimit të territoreve është shumë i qartë.
“Nga fillimi unë si kryetar e kam ngritur zërin dhe do të jem zëri i qytetarit deri në fund. Nuk ka të drejtë askush, madje as presidenti të ngrit çështjen e shkëmbimit të territoreve sepse për këtë vend është derdhur shumë gjak. Iniciativa e presidentit është e gabueshme, dhe këtë gjë ia kam thënë disa herë sepse çështja e Kosovës është shumë specifike dhe si e tillë është trajtuar edhe ndërkombëtarisht. Po ju garantoj se derisa unë të jem kryetar i Komunës së Mitrovicës, nuk do të lejojë asnjëherë që fshati Vllahi e as fshatrat tjera që pretendon ti marrë Serbia të jenë nën administrimin e saj, por përveç kësaj do ta liroj edhe Urën e Ibrit pa asnjë kusht të vetëm”, ka thënë Bahtiri.
Edhe shefi i grupit parlamentar i LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi, ka thënë se në emër të degës së LDK-së do ta ngritin zërin dhe do ta adresojnë këtë çështje deri tek institucionet qendrore.
/Epoka e re/