Bahtiri: Përpjekjet e mia për bashkimin e qytetit të Mitrovicës janë të pareshtura
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka mbajtur sot tryezë të përbashkët me qytetarë, me ç’rast janë iniciuar procedurat e peticionit për bashkimin e qytetit të Mitrovicës.
Të pranishëm në këtë takim ishin nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Jeton Ujkani, drejtorët e drejtorive komunale, asamblistë të partive politike si dhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka falënderuar prezencën e qytetarëve duke theksuar se gjithmonë për çdo vendim të komunës së Mitrovicës është konsultuar me qytetarë.
“Sot ju kam ftuar për të debatuar së bashku për një iniciativë të cilën e kemi miratuar edhe në Kuvendin Komunal, konkluzionin me qëllim bashkimin e Mitrovicës. Përpjekjet e mia si kryetar i komunës kanë qenë të pareshtura për bashkimin e qytetit duke ndërmarrë të gjitha masat dhe duke përdorur mënyrat më legjitime për t’iu drejtuar institucioneve qendrore. Dhe siç e dini edhe ju se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka kthyer kërkesën tonë për bashkimin e Mitrovicës si jo legjitime, edhe pse ne ju kemi drejtuar Qeverisë së Kosovës e pastaj ajo ta delegoj tek Kuvendi i Kosovës. Sot ju kam ftuar këtu mbi bazën e ligjshmërisë që të iniciojmë peticion duke iu drejtuar Kuvendit të Kosovës për të bashkuar qytetin e Mitrovicës. Prandaj ju falënderoj që çdoherë më keni qëndruar pranë”, ka thënë Bahtiri.
Kryetari Bahtiri edhe një herë i ka falënderuar qytetarët për përkrahjen e tyre të vazhdueshme në çdo vendim të komunës.
“Kërkoj nga ju që të dalim faqebardhë me këtë peticion , e ti drejtohemi në mënyrë legjitime Kuvendit të Kosovës. Nuk do të ketë parti politike, por do të jemi ne për të gjithë, peticioni fillon të hënën, dhe në qoftë se dikush do të ketë hamendje që nuk do të realizohet gabon sepse do të realizohet. Ju lus si qytetar i Mitrovicës që ti dilni zot vendit tuaj, dhe ditën e hënë t’i përgjigjen vullnetarisht dhe masivisht iniciativës sime”, është shprehur Bahtiri.
Ky peticion u përkrah nga të gjithë të pranishmit që morën pjesë aty, ndërsa më të zëshmit ishin banorët e fshatit Kçiq i Madh, Gushafc, Frashër i Madh, Kushtove, fshatrat e rajonit të Shalës së Bajgores, të cilët e përkrahëm fuqishëm këtë iniciativë të kryetarit Bahtiri për bashkimin e Mitrovicës.
/Epoka e re/