Bahtiri: Shalianët janë shquar për mençuri dhe trimëri
Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, është organizuar akademi përkujtimore në shenjë nderimi për përvjetorin e 20-të të rënies së martirëve të kombit në fshatin Vllahi të kësaj komune.
Me këtë rast, kryetari Bahtiri ka vendosur buqeta me lule pranë varrezave të martirëve të fshatit Vllahi, duke i nderuar kështu dëshmorët për veprën dhe sakrificën e tyre për t’i sjellë atdheut lirinë.
Në fjalën e tij, kryetari Bahtiri ka thënë se Shala ndër vite është shquar për luftëtarë trima e të zotë të cilët janë pjesë e historisë së vendit tonë. “Çdo herë Shala ka qenë vendi i cili ka treguar se ka njerëz të cilët kanë qenë të gatshëm të japin jetën për vendin e tyre dhe i kanë dalë zot çdo herë atdheut. Shalianët ndër vite janë shquar për mençuri dhe trimëri, për çka ne të gjithë duhet të krenohemi me veprën e këtyre martirëve, të cilët luftuan për liri dhe pavarësi të vendit”, ka thënë kryetari Bahtiri.
Ndërsa, Shukri Begu, familjar i martirëve ka thënë se sakrifica dhe gjaku i dëshmorëve ka bërë që Kosova të jetë këtu ku është tani.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i fshatit Vllahi, Ramadan Ademi, ka falënderuar krerët komunalë për pjesëmarrjen e tyre në këtë akademi, i cili në shenjë respekti ka ndarë mirënjohje për kryetarin Bahtiri, nënkryetarin Faruk Mujka, kryesuesin e Kuvendit Komunal, Safet Kamberi dhe për drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci.