Bahtiri: Shumë shpejt hapet ura mbi lumin Ibër
Kanë kaluar pothuajse dy vite nga fillimi i punimeve për rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, në bazë të marrëveshjes së arritur më 25 gusht 2015, mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, që përkon me lirinë e lëvizjes.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në një prononcim për “Telegrafin” ka thënë se ura mbi lumin Ibër pritet të hapet shumë shpejt.
Bahtiri edhe dy javë më parë ka deklaruar se ura do të hapet shpejti, por pa dhënë ndonjë datë.
Ai tregoi se të enjten ka pasur një takim me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ku i është thënë se kanë mbetur vetëm disa punime teknike tek sheshi “Kral Petar”, të cilat shumë shpejt do të përfundojnë për të bërë hapjen përfundimtare të urës mbi lumin Ibër.
“Kam pasur takim me Nataliya Apostolova dhe kemi diskutuar për hapjen e urës së Ibrit, ku më është thënë që priten vetëm disa punime teknike tek sheshi ‘Kral Petar’, dhe çdo gjë do të jetë gati për hapjen e saj. Shumë shpejt do të bëhet hapja e urës mbi lumin Ibër”, ka thënë ai.
Kryetari Bahtiri po ashtu tha se ura është për bashkimin e qytetarëve e jo për ndarjen e saj.
“Ura është për t’i bashkuar qytetarët. Për t’ua mundësuar lëvizjen e lirë, e jo për t’i ndarë”, tha ndër të tjera Bahtitri.
Ndërsa, politologu Musa Preteni, tha se Serbia në vazhdimësi e ka shfrytëzuar Mitrovicën për të krijuar momentume politike që i janë dashur për përfitime në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.
Sipas tij, ura mbi lumin do të hapet, por po prolongohet për shkaqe teknike deri në momentin kur Serbia konsideron se ka arritur maksimumin politik nga kjo pikë kritike.
“Ura mbi lumin Ibër është pikërisht pikë kritike ku reflektohet një mospajtim mes dy vendeve respektive, Kosovës dhe Serbisë. Mendoj që ura mbi lumin Ibër do të hapet për qarkullim, por ajo po prolongohet kinse për shkaqe teknike deri në momentin kur Serbia konsideron se ka arritur maksimumin politik nga kjo pikë kritike”, ka thënë Preteni në një prononcim për “Telegrafin”.
Ai gjithashtu tha se nga situata e veriut të Mitrovicës, Serbia ka përfituar dukshëm në rrugën e saj drejt BE-së, por sipas tij edhe serbët e Kosovës vazhdojnë të fitojnë të drejta dhe përparësi që asnjë konventë ndërkombëtare nuk e njeh.
“Realiteti politik në këtë pjesë të Kosovës ka ndryshuar dukshëm, madje është bërë shumë në drejtim të normalizimit të situatës atje, kurse çështjet teknike që kanë mbetur janë formalitete që marrin relevancë politike atëherë kur vendet në negociata e konsiderojnë si momentin e duhur për t’i maksimizuar si stafeta të fitores. Serbia madje e ka pranuar edhe realitetin e ri politik të krijuar atje, ku dukshëm ka punuar edhe vet për krijimin e rrethanave të tilla”, tha ndër të tjera politologu, Musa Preteni.
Ndryshe, projekti i financuar nga Bashkimi Evropian (BE), për revitalizimin e urës kryesore në Mitrovicë ka nisur më 14 gusht të vitit 2016, me vlerë prej 1 milion e 45 mijë euro, në bazë të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes të arritur më 25 gusht 2015, në mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.