Bahtiri takon diplomatët austriakë, flasin për zhvillimet në Mitrovicë

09 tetor 2018 | 14:56

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur në takim Thomas Muhlmann udhëheqës i Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë dhe ambasadorin e Austrisë në Prishtinë, Gernot Pfandler, me të cilët ka biseduar për gjendjen aktuale në komunën e Mitrovicës dhe në shtetin e Kosovës.

Me këtë rast Thomas Muhlmann i ka thënë është shprehur i kënaqur që ndodhet përsëri në Mitrovicë dhe Kosovë.

Ai ka theksuar se qëllimi i kësaj vizite është që të njihet më mirë me situatën e përgjithshme në Kosovë.

“Austria është një shtet mik i Kosovës që ka dhënë vazhdimisht kontribut dhe që ka mbështetur çështjen e Kosovës. Edhe unë jam shumë i interesuar për Kosovën dhe në veçanti për Mitrovicën, prandaj edhe kam ardhur këtu për të mësuar më shumë nga ju për situatën e përgjithshme dhe për zhvillimet e fundit”, është shprehur Muhlmann.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se qytetarët e Mitrovicës por edhe ata të shtetit të Kosovës janë shumë mirënjohës për angazhimin e shtetit të Austrisë për çështjen e Kosovës dhe për mbështetjen e pakursyer që ka dhënë në të gjitha proceset e zhvillimit të deritashëm të Kosovës.

Ai ka thënë se situata së përgjithshme në Mitrovicës është e qetë dhe pa probleme.

“Kur kam ardhur në krye të komunës ka pasur me shumë tensione dhe probleme. Ishin të evidentuara 9 876 incidente të ndryshme në shumë pika të qytetit barrikada dhe tela gjemborë, ura kryesore mbi lumin Ibër ishte e mbuluar me zhavorr, rreth 15 000 mijë të zhvendosur nuk lejoheshin të ktheheshin tek pronat e tyre në veri, lëvizja dhe qarkullimi nuk ishin as për së afërmi çfarë do të duhej të jenë. Mirëpo, ne u mobilizuam dhe u angazhuam maksimalisht për të ndryshuar këtë gjendje dhe falë para së gjithash maturisë të vetë qytetarëve të përkatësive etnike i tejkaluam të gjitha ato probleme të rënda dhe Mitrovicën e shndërruam në një ndër qytetet më të sigurta në Kosovë ku incidentet ndëretnike  kanë rënë në minimum dhe për katër vjet janë shënuar vetëm 7 sosh”, është shprehur Bahtiri.

Duke folur për realizmin e projektit për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër ai ka thënë se të gjitha punët kanë përfunduar, por kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq po e pengon lëvizjen e qarkullimin nëpër urë.

Për këtë arsye Bahtiri ka kërkuar nga mysafirët dhe përfaqësuesit e shteteve tjera në Kosovë që të angazhohen për lëvizjen në qarkullim sa më të shpejte të urës me qëllim që të parandalohen situatat e pakëndshme dhe tensioneve të panevojshme eventuale ngase qytetarët kanë filluar të irritohen me këtë gjendje.

Bahtiri ka thënë po ashtu se është e pa pranueshme kërkesa Mitrovicës së Veriut përkatësisht e kryetarit Rakiq për të ndryshuar kufijtë administrativ.

“Goran Rakiq po kërkon që Suhodolli i Epërm, i cili është i populluar me banorë serbë dhe shqiptarë ti bashkëngjitet komunës së Mitrovicës Veriore, gjë që për ne është e papranueshme dhe nuk mund të ndodh. Ky fshat me planin e Ahtisarit ka mbetur pjesë e komunës së Mitrovicës Jugore dhe kështu do të mbetet. Jam i gatshëm që marrëveshjen për kufijtë administrativ midis dy komunave ta nënshkruaj që sot, andaj e ftoj edhe Rakiqin ta bëjë këtë gjë me qëllim që të shmangies së tensioneve”, ka theksuar Bahtiri.

Kurse sa i përket zhvillimeve të fundit në vend  Bahtri ka thënë se është për dialog midis dy shteteve, por që kufijtë e Kosovës nuk mund të ndryshohen sepse sipas tij, kjo është edhe kërkesë e qytetarëve.

 /Epoka e re/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Jakup Krasniqi (Një përmbledhje telegrafike e ngjarjeve dhe e…