Bahtiri u bën apel bizneseve që të angazhohen në hapjen e pikave shitëse në veri
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka takuar ministrin e Tregtisë, Endrit Shala, me të cilin thotë të ketë biseduar për gjendjen e krijuar në veri, pas krizës së inskenuar humanitare nga serbët, ku numri i bizneseve shqiptare që hapin pika shitëse në veri duhet të rritet.
“Në këtë drejtim mora përkrahjen e ministrit që të angazhohemi së bashku, që bizneset nga jugu i Mitrovicës t’i hapin pikat shitëse në veri ku qytetarët do të mund të furnizohen me artikujt e nevojshëm. Si kryetar i Mitrovicës, komunës më strategjike për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, do të mbetem 24 orë në ditë i angazhuar që t’iu shërbej gjithë qytetarëve pa dallim. Ky ka qenë synimi im kur kam ardhur në Kosovë nga Holanda dhe kështu do të punoj me përkushtim pa u lodhur asnjëherë”, ka thënë Bahtiri.
Ai ka apeluar te të gjitha bizneset që të angazhohen për të kontribuar për hapjen e pikave shitëse në veri.
“Kjo i ndihmon shumë Kosovës dhe largon ndikimin e Serbisë nga kjo pjesë e shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Bahtiri.