Bahtiri u kërkon drejtorëve dorëzimin e raporteve në afat rekord
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri në mbledhjen e bordit të drejtorëve, ka kërkuar të hënën nga drejtorët e drejtorive komunale që të angazhohen maksimalisht për realizimin e detyrave që parashtrohen para tyre dhe për ofrimin e shërbimeve sa më efikase dhe cilësore ndaj qytetarëve të komunës që i kërkojnë ato.
Në këtë takim kryetari Bahtiri ka kërkuar nga drejtorët që me kohë ti dorëzojnë në drejtorinë e Financave faturat për pagesë dhe që deri në fund të tetorit të përgatitet raporti për shumën e borxheve totale që ka komuna ndaj institucioneve dhe operatorëve.
Po ashtu, Bahtiri ka kërkuar nga drejtorët që menjëherë të kompletojnë dokumentet për përfundimin e procesit lidhur me Rregulloren 01/2012 për taksat, gjobat dhe tarifat komunale.
Përveç kësaj, në takim u fol edhe për aktivitetet dhe masat që duhet të ndërmarrën ndaj pronarëve të kioskave të vendosura dhe që punojnë pa leje të organeve kompetente.
/Epoka e re/