Bahtiri: Ura e Ibrit hapet së shpejti, Rakiq nuk mund ta ndalë atë

01 qershor 2018 | 19:15

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se Ura e Ibrit do të hapet së shpejti dhe se atë nuk mund ta kushtëzojë asgjë.

“Ne kemi një vendim, një marrëveshje në Bruksel të cilën e kemi arritur, që të bëhet revitalizimi i urës – që të lëshohet në qarkullim. Kjo do të ndodhë shpejtë, pavarësisht që dikush deklaron që kushtëzon diçka. Nuk do të kushtëzohet asnjë send. Çdo send do të jetë i përcaktuar në vijë të duhur. Zotëri Rakiq ka dëshiruar çdo herë që Suhodolli në fund të merret në pjesën e veriut e që është e pamundur. Në asnjë formë, në asnjë mënyrë ajo nuk do të ndodhë”, ka thënë Bahtiri në “Info Magazine” të “Klan Ksoovës”.

Bahtiri ka shtuar se kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, duhet që të heqë dorë nga ajo pjesë, ndërkaq për Urën e Ibrit tha se nuk mund ta ndalë atë.

“Nëse ndryshohet Plani i Ahtisaar-it, do të ndryshojnë shumë gjëra për krejt Kosovën. Ne nuk dëshirojmë që të hyjmë në atë plan të cilin e dëshiron Rakiq. Plani i Ahtisaar-it nuk ndryshohet. Ai nuk mund të ndryshohet absolutisht”, vijoi Bahtiri, duke insistuar se kufijtë administrativë nuk do të ndryshohen.

“Zotëri Rakiq nuk do ta ketë fuqinë që ta ndalë urën [e Ibrit]. Ura është një marrëveshje ndërkombëtare në të mirë të të gjithë qytetarëve të Mitrovicës pa marrë parasysh nacionalitetin. Ura është për t’i bashkuar qytetarët. Për t’ua mundësuar lëvizjen e lirë, e jo për t’i ndarë. Nëse mendon që e kushtëzon urën, e ka të kotë. Rakiqi, por edhe serbët dëshirojnë që çdo shtëpi serbe të jetë nën kontrollin e tyre, e që ajo nuk mund të ndodhë. Ka shumë shtëpi shqiptare që janë në pjesën e veriut, dhe unë asnjëherë nuk tentoj që t’i kthejë në pjesën e jugut”, ka thënë Bahtiri.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazeta amerikane “New York Times” raporton se UEFA do ta…