Bahtiri uron nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e vitit të ri shkollor
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me drejtorin e Arsimit, Skender Avdiu, kanë realizuar vizitë në Shkollën e Mesme të Lartë të Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda”.
Me këtë rast, Bahtiri ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e vitit të ri shkollor, duke thënë se edhe ky vit është mjaftë sfidues jo vetëm për vendin tonë për të gjitha vendet anë e kënd botës, por që shpreson të jetë një vit i mbarë e me plotë suksese për nxënësit tanë.
“Sot janë hapur të gjitha dyert e shkollave, andaj shpresoj për një bashkëpunim të afërt në mes të mësimdhënësve e nxënësve në rritje të njohurive dhe marrjen e diturive të duhura”, është shprehur Bahtiri.
Më tutje, ai ka kërkuar që të respektohen të gjitha rekomandimet e dhëna sipas udhëzuesit të Ministrisë së Arsimit, dhe këshillat e IKShPK-së për ruajtje të shëndetit të fëmijëve, dhe të punohet me zell të madh në edukimin e këtyre gjeneratave të cilët janë e ardhmja e vendit tonë.