Bahtiri vizitoi minatorët e Trepçës që kanë hyrë në grevë
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka vizituar të mërkurën minatorët e Stantërgut, të cilët nga e hëna kanë hyrë në grevë të përgjithshme për shkak të pakënaqësisë me draft-statutin e Kompanisë Trepça, për të cilin mendojnë se është i dëmshëm për Kombinatin dhe nuk e ruan tërësinë territoriale të tij e as njësitë prodhuese.
Minatorët grevistë e kanë mirëpritur vizitën e kryetarit Bahtiri dhe i kanë treguar shkaqet që i kanë detyruar ata për të hyrë në grevë të përgjithshme.
Pas bisedës së drejtpërdrejtë dhe miqësore me minatorët grevistë në hapësirat e restorantit të minatorëve, kryetari Bahtiri ka vazhduar bisedën me drejtuesit e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Stantërgut.
Bahtiri u ka thënë minatorëve, por edhe drejtuesve të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Stantërgut, se e kupton shqetësimin e tyre për fatin e Trepçës, si dhe ka mirëkuptim për kërkesat e bëra.
“Minatorët e Stantërgut në të gjitha fazat e zhvillimit të Minierës kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Mitrovicën dhe Kosovën. Ata kurrë nuk kanë kursyer për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të komunës e të Kosovës, për të ndihmuar shëndetësinë, arsimin dhe të gjitha veprimtaritë tjera shoqërore që ishin në interes të qytetarëve. Kur ka qenë e nevojshme, minatorët e Stantërgut u kanë prirë proceseve politike për liri e pavarësi. Greva e famshme e tyre në vitin 1989, ishte bazament për të gjitha proceset e mëvonshme që çuan deri lirinë dhe pavarësinë e vendit. Prandaj, edhe kërkesat e tashme të arsyeshme të minatorëve duhet të mbështeten nga institucionet e vendit”, ka thënë para minatorëve të Stantërgut kryetari Bahtiri.
/Epoka e re/