Bahtiri viziton nxënësit e shkollës teknike pas dyshimit për helmimin e tyre
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me drejtorin e Arsimit, Egzon Jashari, pasi kanë marrë lajmin për dyshimin mbi helmimin e disa nxënësve në Shkollën Teknike “Arkitekt Sinani”, menjëherë kanë vizituar ata në Spitalin Rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri”.
Nga personeli mjekësor, kryetari Bahtiri u njoftua rreth gjendjes shëndetësore të tyre, me ç’rast u konstatua se simptomat e tyre nuk tregonin për diçka shumë shqetësuese, ku pas trajtimit mjekësor nxënësit janë liruar.
Me këtë rast kryetari Bahtiri u ka uruar nxënësve shërim sa më të shpejtë, duke thënë se çdo gjë e rëndësishme ka të bëjë pikërisht me shëndetin e fëmijëve tanë, po ashtu ai falënderoi edhe stafin mjekësor për kujdesin ndaj tyre.
Në vazhdim kryetari Bahtiri së bashku me drejtorin Jashari dhe në prani të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, kanë realizuar një vizitë në objektin e shkollës për të parë nga afër gjendjen faktike, dhe mënyrën se si ka rrjedhur dyshimi mbi helmimin e këtyre nxënësve.
/Epoka e re/