Bajame për shëndetin e mëlçisë
Mjafton një grusht me bajame dhe nivelet e kolesterolit të mirë që ka lidhje direkte me shëndetin kardiovaskular, rritet me 19 për qind. Të dhënat e një studimi të fundit, tregojnë se bajamet, jo vetëm rrisin nivelet e kolesterolit të mirë, por edhe fuqizojnë largimin e kolesterolit të keq nga mëlçia. Studime të mëparshme kanë konfirmuar se ky arror ka aftësinë të ulë nivelet e kolesterolit të keq. Ky kolesterol shton rreziqet e sëmundjeve kardiovaskulare.
Përgjatë një periudhe prej 6 javëshe, shkencëtarët e studimit mbajtën nën vëzhgim dy grupe pacientësh me një nivel të lartë të kolesterolit të keq. Grupi i parë i pacientëve që morën pjesë në studim, konsumoi 43 gramë bajame në ditë. Kjo është e barazvlefshme me një grusht me arrorë. Ndërkohë që grupi i dytë konsumoi një ëmbëlsirë me banane. Në fund të periudhës së studimit, shkencëtarët matën nivelet e kolesterolit të mirë tek secili prej pjesëmarrësve në studim.
Studimi nxori në pah që pjesëmarrësit që kishin konsumuar bajame përjetuan një rritje prej 19 për qind të kolesterolit të mirë. Pjesëmarrësit me një peshë normale përjetuan aftësi të shtuara të organizmit për të transportuar kolesterolin e tepërt në mëlçi me 6.4 për qind. Bajamet janë të pasura me magnez dhe kalium që luftojnë kontraktimet dhe tepricën e lëngjeve. Ato janë të shëndetshme dhe të pasura me fibër dhe proteinë. 10 bajame kanë 100 kalori.
Kur lëshohet në gjak, kolesteroli i mirë është në sasi të imëta. Por gjatë periudhës së akumulimit të pjesëzave nga çdo qelizë dhe ind kolesteroli rritet. Më pas merr një formë sferike përpara depozitimit në mëlçi ku shpërbëhet plotësisht. Përgjatë këtij rrugëtimi pjesëzat e kolesterolit të mirë rriten.