Bajoku dhe Deliaj përfaqësojnë Kosovën në turneun e boksit “Bocskai Istvan”
07 shkurt 2019
| 16:19
Boksierët Shpëtim Bajoku dhe Ardit Delijaj do të përfaqësojnë Përfaqësuesen e Kosovës në boks në turneun e 63-të memorial ndërkombëtar “Bocskai Istvan”, që mbahet deri më 9 shkurt në Debrecen të Hungarisë.
Turneu është në kalendarin zyrtar të Unionit Evropian të Boksit (EUBC), ndërsa marrin pjesë 30 shtete të botës. Në mesin e garuesve, sipas ueb-faqes zyrtare të EUBC-së, pjesëmarrës në gara janë edhe kampion të botës dhe medalistë Olimpikë.
Bajoku do të garojë në kategorinë deri në 61 kilogramë, kurse pas shortit të hedhur, ai në luftën e parë do të ndeshet me moldavin, Cvasius Migail. Delijaj përballë do të ketë spanjollin, Aleksando Camacho Fernandez, në kategorinë deri në 81 kilogramë.