Bajqinovci: Veliu është kundër koalicionit LV – LDK
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, është shprehur i bindur se Albin Kurti do të bëhet kryeministër ditën e hënë.
Ai ka thënë se qeveria do të ndërtohet nga partneriteti me Lidhjen Demokratike të Kosovës, pasi, sipas tij, kështu ka vendosur elektorati me rreth 430 mijë vota në zgjedhjet e fundit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë në RTV Dukagjini se votimi i Glauk Konjufcës është proces i pakthyeshëm dhe sipas tij kërkesa e LDK-së për dorëheqje të tij është joserioze.
“Në ofertën e dytë që në i kemi bërë LDK-së, posti i kryeparlamentarit ka qenë për ta por ata nuk kanë dashur”.
Bajqinovci thotë se tashmë dihet hapur se Agim Veliu është personi më i ngurtë në raport të arritjes së koalicionit LVV-LDK.
“Unë mendoj se Agim Veliu është kundër koalicionit me ne”. Ai ka thënë se shumica e zyrtarëve të LDK-së e duan koalicionin me Vetëvendosjen dhe sipas tij këtë koalicion e do edhe populli. Deputeti i LVV-së thotë se personalisht beson se koalicioni do të arrihet deri të hënën.