Bajraj boton libër të ri me poezi

24 maj 2021 | 08:46

Ka dalë nga shtypi, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”, libri me poezi “Me zemër në qese najloni” i Xhevdet Bajrajt. Sipas botuesit të këtij libri, Berat Armagedoni, vlerësimin për veprimtarinë poetike të Xhevdet Bajrajt kurrë nuk mund ta quash të kryer, as nuk mund të quhet njëri libër i tij më i mirë se tjetri sepse librat e ri që i shkruan duken edhe më të bukur se paraardhësit.

“Vlerësimin për veprimtarinë poetike të Xhevdet Bajrajt kurrë nuk mund ta quash të kryer. Kurrë nuk mund t’i vësh pikë. Nga përvoja e bashkëpunimit me të mësova se nuk bën të vlerësohet më shumë libri a librat e tij paraardhës sepse të befason me pasardhësit. Kur i botova librat e tij me poezi s’ma merrte mendja se një vit tjetër do të shkruante një tjetër edhe më të mirë sesa të mëparshmit. Por, ja që e shkroi. Poezitë në librin ‘Me zemër në qese najloni’ janë të papërsëritshme, të pashoqe, të pakonkurrencë, një për një antologjike. Të tilla poezi shpresoj se do të ketë edhe në dy librat e tjerë të tij që do t’i botoj po këtë vit”, ka shkruar Armagedoni në kopertinën e pasme të librit.

Poezi nga libri i sapobotuar të cilin mund ta gjeni në librarinë “Dukagjini”

Xhevdet Bajraj

 

LIRIA

Përnatë

e vizatonte një zog

në murin e qelisë së tij të burgut

por në mëngjes

nuk e gjente zogun aty

 

Një natë e vizatoi zogun në mur

ia lidhi njërën këmbë

me një fije të hollë të perit

dhe skajin tjetër

e lidhi për dorën e vet

 

Në mëngjes

gardianët e burgut

kishin mbetur gojëhapur

e gjetën qelinë e zbrazët

 

DJALI ME TOP

Duke ikur nga armiku

një ditë të bukur vere

mbi kodër

djali e mbante

një top futbolli në krah

babai e mbante në krahët e tij

djalin me top

 

Një plumb i përshkoi

që të tre

Që tre u rrëzuan

babai dhe djali pa jetë

mbetën në vend

topi i shfryrë

rrokullisej teposhtë

në drejtim të vrasësve

 

ZOGU I NDARË PËRGJYSMË

 

Rrufeja e ndau qytetin në dy pjesë

tashti shihemi mes vete

pa kujtesë

pa të ardhme të përbashkët

 

Vetëm klithja e zogut

që doli nga një poezi

nga libri Ca korra rrushi të Rahovecit

ndërsa e qëlluan me pushkë gjuetie

e bashkoi qytetin

dhe natyrisht

krisma e pushkës

 

Zogut i ra koka në një anë të qytetit

ndërsa trupi në anën tjetër

 

Një fëmijë i mori të dy copat

dhe përpiqej t’i ngjiste

me ngjitës

 

ATA I KËRKUAN ASAJ TË SHIKONTE DIKU TJETËR

 

Në atë fshat nuk kalonte dot vetura

veç rrallë ndonjëherë mbi të

ndonjë aeroplan

 

Trupi i fëmijës ishte aq i njomë

saqë plumbi nuk u ndal në të

por e përshkoi

 

Ata i kërkuan nënës së foshnjës

që të shikonte diku tjetër

por edhe ajo vdiq

se nuk mund të shikonte diku tjetër

 

Një rrugë të nxjerrë nga jeta

e asnjë nuk të kthen në të

 

ALTIN BERISHA ENDE ISHTE GJALLË

 

Derisa Altin Berishën

të plagosur më parë

në dorë dhe në këmbë

e merrnin nga piceria

për ta dërguar

në kamionin frigorifer

(Djalin dhjetë vjeç

që e kishte dëgjuar këshillën e nënës

të bëhej i vdekur)

ushtarët e hetuan se ende është gjallë

kështu që me një plumb në kokë

nga afërsia

ia fikën dritën e syve

 

Ky vetëm arriti të thotë

oh nënë

si lamtumirë për nënën e tij

zonjën Shyhrete Berisha

gruan e Nexhat Berishës

dyzet e tre vjeç

nënën e Majlindës

gjashtëmbëdhjetëvjeçare

Herolindës trembëdhjetëvjeçare

dhe djalit të vogël

që ende nuk i kishte mbushur

dy vjet

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bitcoin ka pësuar një rënie prej 13 për qind të…