Bajram Begaj sot betohet mbi Kushtetutën e Shqipërisë

24 korrik 2022 | 08:14

Ilir Meta sot lë detyrën e presidentit të Republikës së Shqipërisë, duke mbyllur mandatin e tij pesëvjeçar.

Stafetën ia kalon Bajram Begajt i cili do ta marrë detyrën e kreut të ri të shtetit, i cili do të betohet sot në Kuvend. Pritet që në Kuvend të jenë të gjitha grupet parlamentare, përveç deputetëve mbështetës të Sali Berishës, të cilët ende nuk kanë dhënë një konfirmim.

Në orën 18:00 Begaj, sipas procedurës, do të betohet me dorën mbi Kushtetutë dhe më pas do të drejtohet drejt Presidencës.

Atje Ilir Meta do ta presë përmes me ceremonie shtetërore për t’ia dorëzuar zyrtarisht detyrën.

Më pas, Ilir Meta do të lërë Presidencën dhe nga ky moment nis një cikël i ri për Begajn si president i Republikës.

Bajram Begaj mori besimin e shumicës së deputetëve në Kuvend për president të Republikës së Shqipërisë. Në seancën parlamentare të 4 qershorit 2022, Begaj u zgjodh president i ri i Shqipërisë me 78 vota për, 4 kundër dhe 1 abstenim (83 deputetë morën pjesë në votim). Grupi i deputetëve të Enkelejd Alibeajt dhe Sali Berishës bojkotuan procesin.

Kurse Meta u vendos në krye të shtetit më 24 korrik të 2017, disa muaj pasi ishte zgjedhur me propozim të socialistëve, u votua në Kuvend vetëm nga mazhoranca, me 88 vota, në një kohë që opozita kishte dy muaj që bojkotonte.

Programi i ceremonisë në presidencë:

18:45 – 19:15- Mbërritja e të ftuarve

19:15 – Mbërritja e Presidentit të Republikës SH.T.Z. Bajram Begaj në Presidencë

19:29 – Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bajram Begaj bashkë me ish-Presidentin e Republikës SH.T.Z. Ilir Meta, dalin nga Presidenca dhe zënë vend në tribunë

19:30 – Luhet Himni Kombëtar nga Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura, shoqëruar nga 21 të shtëna topi

19:35 – Znj. Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese i dorëzon Presidentit, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

19:40 – Fjala e Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Bajram Begaj.

19:50 – Largimi i ish-Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta

19:53 – Komandanti i Truprojës së Nderit i Forcave të Armatosura i paraqet forcën Presidentit. Kalim në revistë i Presidentit.

19:58 – Presidenti i shoqëruar nga familja hyjnë në Presidencë

20:00 – Pritje zyrtare në oborrin e Presidencës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kushtet kur kaosi nga aeoroportet është transferuar tek portet,…