Bajram Kosumi rizgjedhet rektor i universitetit ‘Kadri Zeka’
Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, është rizgjedhur rektor i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Këshilli Drejtues, prej shtatë anëtarësh, ka votuar në mënyrë unanime për Rektorin Kosumi.
Kryesuesi i Këshillit Drejtues, kryesues dr. sc. Emrush Thaçi, ka vlerësuar se procesi për zgjedhjen e rektorit të UKZ-së ka shkuar mirë dhe pa asnjë problem. “I gjithë procesi ka rrjedhur mirë dhe konform rregulloreve pa asnjë problem”, ka thënë ai.
Ndërsa, rektori i rizgjedhur, prof. asoc. dr. Bajram Kosumi, ka falënderuar anëtarët e KD-së për besimin e dhënë për ta udhëhequr Universitetin “Kadri Zeka” në mandatin e ardhshëm.
“Besimi që më kanë dhënë është një përgjegjësi shtesë që të gjithë së bashku të punojmë për zhvillimin e Universitetit tonë”, ka thënë rektori Kosumi.
Me zgjedhjen e rektorit është përmbyllur gjithë procesi zgjedhor në UKZ.
Fillimisht studentët kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre, mandej janë mbajtur zgjedhjet për këshillat e fakulteteve dhe së fundi është konstituuar edhe përbërja e re e senatit të cilët do të marrin mandatin më 1 tetor 2019.
/Epoka e re/