Bajrami: ‘Dekada e Re’ ka në fokus rininë dhe interesat e saj

21 qershor 2018 | 16:00

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arsim Bajrami, ka bërë me dije se ‘Dekada e Re’ ka në fokus rininë dhe interesat e saj.

Në tryezën e katërtë të organizuar nga Instituti për Studime Politike i PDK-së, ku është trajtuar tema “Çfarë PDK-je duam në Dekadën e Re? A mundet PDK-ja pas shtetformimit dhe avancimit të shtetësisë ta modernizoj dhe ta bëjë atë me nivel karshi shteteve te BE-së?”, Bajrami së bashku me deputeten e PDK-së, Evgjeni Thaçi-Dragusha, u kanë prezantuar të rinjve disa nga të arriturat dhe kontributin e PDK-së, gjatë shtetformimit dhe shtetndërtimit.

Bajrami ka thënë se tani kërkohen vlera të reja që prezantojnë këtë parti, duke shtuar se vetitë dhe vlerat e drejtuesve të PDK-së i karakterizon guximi, aftësia, modestia, përkushtimi për unitet dhe orientimi euroatlantik.  “Dekada e Re afron dhe mobilizon të rinjtë dhe ka në fokus të rinjtë. Kjo nënkupton se ju ecni rrugës së kësaj dekade pa përvojat tona të paraluftës dhe çlirimit të vendit. Ju sot, në përcaktimin e vlerave tuaja, këto përgjegjësi nga e kaluara nuk ju rëndojnë, por vlera juaj, aftësia juaj, kapaciteti juaj për të çuar çështjet jetike të të rinjve përpara”, ka theksuar Bajrami.

Sipas tij, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia, perspektiva euroatlantike, arsimi cilësor dhe ndërmarrësia me inovacion, janë disa nga prioritetet e “Dekadës së Re”.

Ndërsa deputetja Evgjeni Thaçi-Dragusha, ka treguar për aktivizimin e rinisë si elementin thelbësor të saj. “Ju duhet të merrni përgjegjësinë, ashtu siç sot kanë marrë përgjegjësi edhe ministrat e PDK-së, të cilët janë të gjithë në moshë të re dhe rrugëtimin politik e kanë filluar nga Rinia Demokratike”, ka deklaruar se Thaçi-Dragusha, duke shtuar se vlerat e rinisë janë vlera e shtetit tonë.

 

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në pikën kufitare në Kullë është arrestuar një person i…