Bajrami: Dështuan të sjellin investime, po tentojnë të sjellin të burgosur
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës. Ky traktat parashikon shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për ekzekutimin e dënimeve të shtetasve danezë.
Bajrami thotë se “Parlamenti i Republikës së Kosovës e ka rrëzuar me votë Marrëveshjen e Ndërkombëtare për dhenien në shfrytëzim Danimarkës qendrën e paraburgimit në Gjilan”, derisa thekson se Qeveria e ka miratuar këtë vendim, që ta sjellë sërish këtë marrëveshje në Kuvend.
“Unë kam votuar kundër javën e kaluar do të votoj prapë kundër”, u shpreh Bajrami.
Sipas saj miratimi i kësaj marrëveshjeje është i gabuar, dhe se Kosova nuk duhet të bëhet vend për të sjellur të burgosur.
“Dështuan të sjellin investime, po tentojnë të sjellin të burgosur”, thekson ajo.
“Miratimi i kësaj marrëveshje është gabim dhe nuk duhet të bëjmë Kosovën vend për të sjellë të burgosur. Kosova duhet të krijojë kushte për investime të huaja. Dështuan të sjellin investime, po tentojnë të sjellin të burgosur. Po ja rikujtoj Qeverisë se sipas raporteve të ministrisë se Financave në tri vitet e fundit kanë paguar 34 milionë euro qira, për shfrytëzimin e ndërtesave private për institucionet publike. Ndërtesat publike duhet të përdoren veç për interesat e qytetarëve, e sjellja e të burgosurëve nga Danimarka, e të cilët as të këtij vendi nuk janë veç interes qytetar nuk mund të jetë”, shkruan tutje deputetja Bajrami.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës, për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Traktati, i nënshkruar nga Ministrat e Drejtësisë të të dy vendeve më 26 prill 2022 në Prishtinë dhe më 16 maj 2022 në Kopenhagë, sipas Qeverisë, synon të përmirësojë kapacitetet dhe bashkëpunimin në fushën e drejtësisë midis Kosovës dhe Danimarkës.