Bajrami dhe Mehmeti diskutuan për përgatitjen e rishikimit të buxhetit
Ministrja e Financave Hykmete Bajrami priti në takim guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Fehmi Mehmeti, ku diskutuan për situatën ekonomike në vend të shkaktuar nga pandemia COVID-19, si dhe për Programin e Qeverisë së Kosovës për rimëkëmbjen ekonomike.
Gjatë takimit u diskutua edhe për përgatitjen e Rishikimit të Buxhetit duke u bazuar në Programin e Qeverisë, i cili program ka për fokus fuqizimin e sektorit privat dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit. “Ministrja Bajrami e vlerësoi punën që po bënë BQK-ja, si dhe kërkoi rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për implementimin e pakos për rimëkëmbjen ekonomike duke pasur parasysh se një pjesë bukur e mirë e investimeve në këtë fushë do të jetë përmes rritjes së financimit kreditor ku target kryesor do të jetë përmirësimi i kushteve të financimit për sektorin privat me qëllim të zhvillimit ekonomik të vendit”, thuhet në njoftimin e MF-së.
Sipas këtij njofimi, guvernatori Fehmi Mehmeti uroi ministren Bajrami për pozitën e re dhe theksoi se sektori bankar në Kosovë ka një shkallë të lartë të qëndrueshmërisë dhe potencial për të rritur edhe më tej kreditimin e ekonomisë. “Ai gjithashtu theksoi se duke pasur parasysh rënien e ekonomisë për shkak të pandemisë COVID-19, BQK-ja është e interesuar që bashkë me Qeverinë të jap kontributin e saj gjatë fazës së rimëkëmbjes ekonomike”, thuhe në njoftim. (A. M / Epoka e re)