Bajrami: Disa gjëra që VV-ja dëshiron t’i bëjë janë rrezik për shtetin
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë në emisionin dPT në T7 se disa nga propozimet e VV-së janë në kundërshtim me shtetin e Kosovës.
Ajo kritikoi planprogramin qeverisës të Qeverisë Kurti.
“Ata janë parti e majtë. Këtë e dimë. Planet e tyre janë të njohura moti. Disa gjëra që mund të bëjnë janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe rrezik për shtetin”, ka thënë ajo.
“Për shembull ndërhyrja në tregun e lirë. Ndërhyrja në tregun e lirë është shkelje e Kushtetutës pasi tek ne me ligj garantohet tregu i lirë. Pastaj disa masa tjera që janë ndërmarrë si skema sociale mund të shihni se janë në kundërshtim me vetvete. Për shembull, fëmija i një ministri apo qeveritari nuk ka nevojë të marrë 10 euro sikur një fëmijë i familjes mesatare apo të varfër. Të gjitha masat e tyre janë jashtëzakonisht të kushtueshme. Ne si LDK kur e patëm bërë planin e përbashkët është dashur që të kundërshtojmë këto masa”, shtoi ajo.