Bajrami e LDK-së: Rezultatet e PISA-s, të pritshme
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se rezultatet e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), që e rendisin Kosovën në vendin e 76-të janë të pritshme.
Ish-ministrja e Arsimit, ka theksuar se në tri vitet e fundit viti shkollor ka nisur me një muaj vonesë.
Ajo ka renditur në katër pika, arsyet që sipas saj kanë ndikuar që Kosova të dalë kaq poshtë në PISA.
“1. Ministrja e Arsimit punën e parë si ministre e ka bërë duke shkelur Kushtetutën me kthimin prapa të reformës në arsim që e pati nisur Komuna e Kamenicës. 2. Veprimi i dytë i Nagavcit dhe i gjithë qeverisë ka qenë mposhtja e SBAShK-ut dhe jo ngritja e cilësisë në arsim. Këtë betejë qeveri-SBAShK e kanë paguar nxënësit, duke humbur mijëra orë mësimore”.
“3. Shkelësja e Kushtetutës, pra ministrja Nagavci, bëri eksperimentin tjetër këtë vit me libra. Dhe, jemi në fund të gjysmëvjetorit të parë dhe ende ka nxënës që shkon me libra të pakompletuar në shkollë. 4. Sot, kur po e komentojmë këtë rezultat të PISA-s, MAShT-i me të dhëna të veta konfirmon se në vendin tonë rreth 73 për qind e paraleleve dhe 33 për qind e shkollave nuk i plotësojnë kriteret ligjore për zhvillim të mësimit dhe ministrja ende s’ka ndërmarrë asnjë veprim për riorganizimin e rrjetit të shkollave”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.