Bajrami: Goli më i bukur i karrierës, e festova me babin
Nedim Bajrami shënoi super gol në ndeshjen ndaj Republikës Çeke, duke i dhuruar një pikë Kombëtares së Shqipërisë (1-1).
Fantazisti i Sassuolos ka thënë se goli i shënuar ndaj çekëve ishte më i miri në karrierën e tij.
“Goli më i bukur i karrierës? Po, besoj se është goli më i bukur i karrierës. Jam shumë i lumtur që ndihmova skuadrën. Të vazhdojmë kështu, ndeshja e radhës është afër. Të vazhdojmë. Kemi shumë kualitet në skuadër, duhet të shfrytëzonim rastet. Çekia është skuadër fizike. Nuk kishim shumë raste, por i shfrytëzuam ato raste që kishim. Futbolli kështu është, një rast një gol. Të përmirësojmë ato gjëra që nuk kemi bërë shumë mirë. Roli në fushë? Jam i lumtur. Ndihem shumë mirë pas sulmuesit. Çdo lojtar duhet të japë maksimumin, të vazhdojmë kështu”, ka thënë Bajrami.
I pyetur se a e ka ndjerë besimin e trajnerit Sylvinho, Bajrami është përgjigjur: “Ai më ka ndihmuar shumë mentalisht. Kam shumë vetëbesim me Sylvinhon. Duhet të vazhdoj kështu, që të ndihmoj sa më shumë skuadrën. E festova golin me babin, i thashë që të dua shumë. Shpresoj të shënoj edhe ndaj Polonisë”.