Bajrami hedh poshtë shifrat e Kurtit: Punësimin e tregojnë të dhënat e Trustit, papunësia është ulë sepse fuqia punëtore ka ikur
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë tha sot se “punësimi në Kosovë është rritur me 20 për qind” dhe se kjo ka ndikuar “në rritjen e fitimit dhe zgjerimin e aktivitetit të sektorit privat”.
Bajrami ka shkruar në “Facebook” se numrat nuk tregojnë “lulëzim të punësimit”.
Ajo ka thënë se ”është e vërtetë se papunësia është ulë”, por se kjo ka ndodhur “sepse fuqia punëtore ka ikë nga Kosova”.
“Kryeministër Kurti, e di që e ke ushqim për militantë, por nuk u durova pa reaguar. Gjithashtu e di që pak merr vesh nga ekonomia, por edhe këtu kemi të bëjmë më numra, e numrat kurrqysh s’po qojnë të ‘lulëzimi i punësimit’ siç paske deklaruar sot. Kryeministër, pyeti ekonomistët që i ke në kabinet se cila teori apo praktikë të qon të krijimi enorm i vendeve të punës kur rritjen ekonomike e ke vetëm 4.3 për qind (2022), 3.3 për qind (2023) dhe pret me pas rritje maksimum 3.9 (2024)?”, ka pyetur ajo.
Bajrami ka pyetur Kurtin edhe se si mund të “lulëzojë punësimi” kur ka “deficit tregtar 4 miliardë e 947 milionë euro”.
“Qysh ka mundësi me lulëzuar punësimi kryeministër kur eksporti në vitin 2023 ka qenë vetëm 819 milionë euro ndërsa importi ka qenë 5.7 miliardë euro, d.m.th. deficit tregtar 4 miliardë e 947 milionë euro? Qysh po u krijojkan vende punë kryeministër kur investimet kapitale gjatë mandatit tënd janë vetëm 11 për qind buxhetit dhe investimet private i ke në rënie?”, ka shkruar Bajrami.
Më tutje, deputetja Bajrami ka theksuar se të dhënat e ATK-së nuk paraqesin punësimin real.
“Të dhënat e ATK-së mundesh me i përdorë për propagandë, por ato nuk paraqesin punësim real sepse në ATK-ja të punësuar ta qet edhe atë që punon dy ditë në muaj dhe ta llogaritë si të punësuar dy, tri herë secilin që i ka dy, respektivisht tri puna. Të dhënat e sakta të punësimit janë ato në Trust-it, të punësuar janë ata që për 12 muaj paguajnë kontribute dhe sipas Trust-it, raporti vjetor për vitin 2023 në Kosovë janë krijuar: 2020 – 10 179 vende pune (pandemi), 2021 – 16 877 vende pune, 2022 -15 833 vende pune, 2023 – 12 551 vende pune”, ka shkruar Bajrami.