
Bajrami: Jemi gati për ndeshjen me Anglinë
Mesfushori i Shqipërisë, Nedim Bajrami, ishte në konferencën për shtyp bashkë me Kristjan Asllanin. Ai thotë se me rikthimin e Armando Brojës, skuadra është më gati se kurrë për të bërë mirë në fushën e lojës.
Në ndeshjet e fundit me Rangers nuk keni shumë minuta, a jeni gati për duelin me Anglinë?
Bajrami: Është e vërtetë se me ndryshimet që u bënë në stol kam marrë më pak minuta. 6 muajt e parë e fillova mirë, por kjo është pjesë e futbollit. Jam gjithmonë gati dhe kam ushtruar gjithmonë në stërvitje.
Ku e ndjen veten më mirë Bajrami, ku ka mundësi më shumë për të luajtur?
Bajrami: Që ka trafik në futboll është normale. Konkurrenca është e madhe, kështu që çdo futbollist jep maksimumin në stërvitje dhe trajneri do të vendosë. Unë jam gati ku të më vendosë Silvinho
4 vite më parë keni luajtur me Anglinë, çfarë do të jetë ndryshe këtë herë?
Bajrami: Po, ajo ndeshje që kemi bërë me Anglinë ka kaluar. Tashmë është një sfidë tjetër dhe ne e dimë se çfarë kundërshtari është. Trajneri e di mirë këtë dhe kemi zhvilluar mirë përgatitjet.
Eliminuat Mourinhon, a ju ka motivuar kjo?
Bajrami: Besoj se po se ishte një fitore e madhe të eliminosh Mourinhon dhe Fenerbahçen. Na ka sjellë një vetëbesim dhe me këtë kam ardhur në Kombëtare.
Sa gati është Shqipëria për të përballuar Anglinë?
Bajrami: Anglia luan shumë fort, të gjithë çunat janë gati. Me rikthimin e Brojës jemi më shumë se kurrë gati.
UEFA ka ripostuar golin tuaj të shënuar me Italinë në ‘Euro 2024’?
Bajrami: Rekordi është rekord. Të shikojmë çfarë do të bëjmë me Anglinë. Të gjithë çunat janë gati për duelin me to.
Nga Liga e Kombeve te kualifikueset e Kupës së Botës…
Bajrami: Çdo kompeticion është i ndryshëm. Tashmë luajmë për kualifikueset e Botërorit. Çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë kemi bërë keq duhet të mësojmë për të ecur përpara.