Bajrami kërkon nga Bordi i RTK të shkarkojë Rilind Gërvallën drejtësia të hetojë a i ka bërë favore VV-së
Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka kërkuar të enjten nga bordi i RTK-së që ta shkarkojë Rilind Gërvallën nga pozita e drejtorit.
Ajo po ashtu ka kërkuar që drejtësia duhet ta hetojë nëse udhëheqja e RTK-së ka keqpërdorur detyrën duke i bërë favore Vetëvendosjes e duke dëmtuar interesin publik përmes lajmeve të rreme.
“Bordi i RTK-së duhet ta shkarkojë menjëherë Drejtorin e RTK-së, i cili është vegël e Vetëvendosjes në televizionin publik. Bordi duhet të japë dorëheqje pasi në mënyrë të turpshme kishin votuar një anëtar të Vetëvendosjes për udhëheqës të televizionit publik. Nëse nuk japin dorëheqje duhet të nisin procedurat për shkarkimin e tyre në Kuvend. Drejtësia duhet të hetojë nëse udhëheqja e RTK-së ka keqpërdorur detyrën duke i bërë favore Vetëvendosjes e duke dëmtuar interesin publik përmes lajmeve të rreme”, ka shkruar ajo në Facebook.
Më tutje ajo ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të themelojë një Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar gjithçka që ka ndodhur në RTK.
“Prej se ka ardhur në pushtet, Vetëvendosje ka sulmuar brutalisht shtyllën kryesore të demokracisë që është media. Me nënshtrimin e RTK-së, Vetëvendosje përmes Bordit të RTK-së me përkrahjen e argatëve të pushtetit ka rrezikuar demokracinë. S’ka rrugë tjetër përpos kthimin e ligjshmërisë dhe lënien e mediave të funksionojnë të pavarura. RTK është pasuri publike e këtij vendi dhe duhet secili ta ruajmë sikur secilën pronë të kësaj shoqërie. Edhe njëherë po ua rikujtoj reagimin e LDK-së me rastin e emrimin të njeriut të LVV-së për drejtor në RTK. Ne e kemi kundërshtu një akt të tillë dhe e kemi bojkotu RTK derisa në krye është njeriu i partisë”, ka thënë Bajrami.
Përndryshe, drejtori Rilind Gërvalla e ka pranuar se e ka dërguar linkun e lajmit të “Slobodna Bosna”, por ka shtuar se nuk ka ushtruar presion ndaj redaktorit Jeton Musliu, i cili ka rrëfyer e ka pasur presion për botimin e asaj kronike.
Që nga e hëna reagimet në Kosovë nuk kanë pushtuar, shumë gazetarë të RTK-së janë distancuar, ndërkohë disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë sulmuar mediat.