Bajrami kërkon nga deputetët që ta votojnë edhe në lexim të dytë projektligjin e buxhetit për vitin 2021
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka falënderuar deputetët për miratimin në lexim të parë të projektligjit të buxhetit për vitin 2021.
Ajo ka thënë se deputetët që votuan këtë projektligj treguan përgjegjësi të lartë institucionale, duke evituar një krizë të panevojshme buxhetore për vitin që po hyjmë.
“Ftoj deputetët që në seancën e nesërme ta votojnë edhe në lexim të dytë projektligjin e buxhetit për vitin 2021”, ka shkruar Bajrami në llogarinë e saj në “Facebook”.
Ajo ka thënë se lajm tjetër i mirë nga seanca e sotme është edhe miratimi i dy projekligjeve të rëndësishme, si: Projektligji Nr. 07/L-035 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe Projekligji Nr. 07/L-036 për Ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan.