Bajrami: Kurti është kryepërgjegjësi, pushteti i LV-së po kundërmon drogë, korrupsion dhe pazarllëqe në kurriz të popullit

18 gusht 2023 | 12:10

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas aksionit të sotëm ku kanë mbetur të arrestuar dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe Ridvan Muharremi i “Bukë e Zemër” nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, konkretisht vaj dhe grurë.

Bajrami ka shkruar në “Facebook” se përgjegjësi kryesor është kryeministri Albin Kurti dhe ka bërë thirrje që prokuroria dhe policia t’i shkojë deri në fund aksionit të sotëm.

Ajo ka thënë se secili që ka përgjegjësi duhet të jap llogari në mënyrë që të rikthehet besimi i qytetarëve dhe që “hajnat të shkojnë në burg”.

Bajrami ka theksuar se përgjegjësia kryesore duhet t’i kërkohet kryeministrit Albin Kurti.

Postimi i plotë i Bajramit:

Kryepërgjegjësi është Albin Kurti

Policia dhe Prokuroria duhet t’i shkojnë deri në fund aksionit të sotëm për keqpërdorimin e rezervave shtetërore dhe jo vetëm sepse ajo çka po ndodhë me tenderë njëburimor, me kritere joligjore në kontrata multimilionëshe ia kalon aferës së rezervave shtetërore.

Secili që ka përgjegjësi duhet të japë llogari në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve se në këtë vend ka drejtësi dhe se hajnat shkojnë në burg.

Përgjegjësinë kryesore duhet ta kërkojmë të kryeministri Albin Kurti.

Kryetari i Vetëvendosjes është kryepërgjegjësi për funksionimin e secilit dikaster, është përgjegjës edhe për keqpërdorimin e rezervave shtetërore, duke marrë për bazë faktin se një mik i tij komplet jashtë institucioneve përfshihet në tenderë. Ai dhe ministrat e tij duhet gjithashtu të mbahen përgjegjës për përfshirjen e zyrtarëve të Vetëvendosjes në kontrabandë me drogë, për koordinimin e Mimoza Kusarit me Radojçiqin, për hajnitë në KEK për nepotizmin dhe të gjitha skandalet tjera.

Sepse i ka marrë 51 për qind të votave me propagandë që kushdo që s’është me LV-ja është hajn dhe të gjithë ata që ju bashkuan turmës me 14 shkurt 2021 janë pastërtia vet, por në fakt pushteti i Vetëvendosjes po kundërmon drogë, korrupsion dhe pazarllëqe në kurriz të popullit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
PSG dhe Mbappé kanë gjetur një pakt rrethanash për të…