Bajrami, Kurtit: Asnjë vendim nuk e keni marrë për ta ndihmuar ekonominë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se qarkullimi i bizneseve në gjashtë muajt e parë të këtij viti ka shënuar rritje prej 30 për qind.
Ajo i ka thënë Kurtit që kur të flet për shifra duhet të jetë gjithëpërfshirës.
“Po e ofendon çdo qytetar me këta numra dhe me këto lëvdata, e më së shumti je duke i ofenduar ata që vitin e kaluar e kanë blerë një litër vaj 0.99 cent e sot e blejnë 1.55 euro. Normal se ka 34 për qind më shumë se vitin e kaluar të hyra nga tatimi në të ardhurat e korporatave, sepse vitin e kaluar vendi ka qenë i mbyllur e shumica e korporatave nuk kanë pasur mundësi të shesin asnjë produkt nga 11 marsi deri më 5 qershor. Normal se ka 37 për qind më shumë TVSH të mbledhur se vitin e kaluar, sepse vitin e kaluar vendi ka qenë i mbyllur. Normal se ka 95 për qind më shumë tatim në pronë të mbledhur këtë vit sepse vitin e kaluar qytetarët për shkak të mbylljes as që kanë pasur mundësi ta paguajnë tatimin në pronë”, ka shkruar Bajrami në llogarinë e saj në “Facebook”.
Ajo ka parashtruar edhe disa pyetje për kryeministrin Kurti.
“Qysh po e shpërndan pakon e ringjalljes 420 milionë euro? Qysh ka me u zhvillu mësimi nga data 1 shtator? Si ka mundësi që jemi vendi me më se paku të vaksinuar në rajon? Kush i ka ‘meritat’ që i kemi mbi 1300 të infektuar në ditë? A po shkojmë drejt mbylljes totale? Si keni për t’i ndihmuar bizneset e qytetarët kur ta mbyllni vendin? Trego për të ardhmen, se në ekonomi krejt çka po ndodhë është meritë e madhe e bizneseve, qytetarëve, konsumit që vjen nga prezenca e mërgimtarëve tonë, masave të rimëkëmbjes ekonomike të qeverisë së kaluar dhe natyrisht inflacionit. Asnjë vendim nuk e keni marrë për ta ndihmuar ekonominë”, ka thënë ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.