Bajrami: Murati s’ka përgjigje për bonot, mashtrimeve po ju vjen fundi
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se ministri i Financave s’ka përgjigje lidhur me bonot e thesarit të diasporës, pa përmendur shifra.
Në kundërreagim, Murati ka publikuar titullin e një mediumi, duke shkruar se ajo e ka shkruar vetë lajmin.
“Nuk kalojnë mashtrimet me bono. Prandaj s’keni përgjigje. Ne mungesë të përgjigjes, ministri i dështimeve po ju tregon mediave qysh duhet të publikojnë reagimet e opozitës ku zbërthehen mashtrimet e partisë në pushtet”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.
Bajrami i ka thënë ministrit të tregojë “qysh po mashtroni me bono”.
“Jepni përgjegjësi qysh keni mashtruar prej bashkimit kombëtar e deri te 160 çerdhet që kurrë nuk u ndërtuan. Qytetarët po kërkojnë përgjigje pse mashtruat se do t’i përfundoni rrugët për Gjilan, Mitrovicë e Podujevë”, ka shkruar ajo.
Deputetja e LDK-së se “dikur një deputet i partisë në pushtet pyeste se a ka mashtruar kryeministri diçka tjetër pos për energji elektrike”.
“Mashtrimeve tuaja po ju vjen fundi dhe prandaj shkaktojnë dhimbje kur mashtrimet tuaja ua tregoj qytetarëve”, ka shkruar Bajrami.
Murati ka shkruar paraprakisht se investimi i diasporës në Bono Thesari të Kosovës e ka rritur zhvillimin e vendit.