Bajrami, Muratit: Publikoje listën e top 50 përfituesve të 230 milionë eurove
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se për tejkalimin e krizës së rritjes së çmimeve në tre muajt e fundit janë ndarë 230 milionë euro.
Deklarata e Muratit nuk ka kaluar pa u diskutuar në Kuvend. Ka qenë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka guximin që t’i publikojë listat se kë e ka subvencionuar.
Madje, pas kësaj, Bajrami ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook”, duke i kërkuar Muratit ta publikojë listën e top 50 përfituesve të 230 milionë eurove.
“E sfidoj ministrin Murati që të publikojë listën e 50 top përfituesve të këtyre 230 milionë eurove. Çdo taksapagues i këtij vendi ka të drejtë të dijë kush ka përfituar n vitin 2021 nga 230 milionë eurot e ndara nga qeveria. Bizneset jo! Bujqit jo! Qeveria po thotë qytetarë, le t’i tregojë kush janë përfituesit? Ne nuk po e dimë. Qeveria e di dhe duhet të tregojë!”, ka shkruar Bajrami.