Bajrami, Muratit: Të krenohesh me borxh publik të ulët i bie të krenohesh me mospunë dhe dembeli
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas të dhënave që ka prezantuar Ministria e Financave për uljen e borxhit publik.
Sipas Ministrisë së Financave “Qeveria e Kosovës me sukses ka kthyer nivelin e borxhit shtetëror në nivelin para pandemisë duke arritur që madje ta zvogëlojë nivelin e borxhit shtetëror si përqindje të BPV-së edhe në raport me periudhën para pandemisë, siç mund të shihet në grafikun në vijim”.
E ndaj këtij postimi në “Facebook” ka reaguar Bajrami, e cila ka thënë se kjo ka ardhur si pasojë e mospunës.
“Kur pas tri viteve s’keni qenë në gjendje me e përfunduar asnjë projekt të madh: as një rrugë magjistrale, asnjë urë, asnjë hekurudhë, nuk keni ndërtuar 160 çerdhet e premtuara, 5 shtëpitë për të moshuarit, nuk keni renovuar asnjë shkollë, nuk keni ndërtuar as një spital dhe nuk e keni lënë asnjë shenjë të vetme për tu kujtuar për të mirë – krenoheni me borxhin publik të ulët?! Kjo i bie me u krenuar me mospunë dhe dembeli” ka shkruar Bajrami.