Bajrami: Nga fondi për rimëkëmbje ekonomike janë ndarë mbi 245 milionë euro

14 tetor 2020 | 11:50

Mbi 245 milionë euro janë ndarë deri më tani nga qeveria për masat fiskale të marra për t’ju përgjigjur situatës me pandeminë Covid-19. Kështu ka bërë me dije ministrja e Financave, Hykmete Bajrami gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.

“Nga 365 milionë euro të pakos për rimëkëmbje ekonomike janë ndarë deri tash 197 milionë euro. Ndërsa nga fillimi i pandemisë me masat emergjente dhe nga Fondi për rimëkëmbje ekonomike janë ndarë deri tash mbi 245 milionë euro”, ka thënë Bajrami.

Po ashtu, Bajrami ka theksuar se të martën janë ekzekutuar mbi 60 milionë euro për bizneset në linjën e subvencionimit të pagave për mbi 208 mijë të punësuar në sektorin privat.

Më tutje, ajo ka thënë se nga të gjitha masat mbështetëse të qeverisë, janë mbi 400 mijë përfitues.

Ndërsa zëvendëskryetar i Komisionit për Buxhet dhe Transfere nga radhët e AAK-së, Gazmend Abrashi, ka komplimentuar zbatimin e planit dhe fondit të rimëkëmbjes ekonomike dhe ekzekutimit të mjeteve për masat mbështetëse nga qeveria.

Në anën tjetër, anëtarja e këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se mjetet e ndara nuk janë bërë nga ligji i miratuar në parim ditë më parë (Ligji për rimëkëmbje ekonomike).

Në këtë drejtim, ajo ka pyetur ministren Bajrami pse është pritur tre muaj dhe nuk janë ekzekutuar mjetet që prej kur është miratuar rishikimi i buxhetit 2020.

Kurse anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se masat e ndërmarra nga qeveria janë të vonuara dhe të pamjaftueshme, teksa tha se përtej kësaj janë edhe pa bazë ligjore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, e ka…