Bajrami pas publikimit të raportit TI-së: Ka propagandë, nuk ka luftë kundër korrupsionit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas publikimit e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit nga organizata Transparency International (TI), ku Kosova nuk ka shënuar progres, por ka mbetur në vendin e njëjtë sikur në vitin 2022.
Bajrami ka shkruar në “Facebook” se qeveria është duke bërë vetëm propagandë, duke mos e luftuar korrupsionin.
Ka propagandë, nuk ka luftë kundër korrupsionit. Sot, Transparency International publikoi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2023. Sipas këtij raporti Kosova është vlerësuar me 41 pikë, po aq sa ishte vlerësuar edhe në vitin 2022. Kosova vendin e 83-të në ranglistën botërore e ndan me Burkina Fason, Afrikën e Jugut dhe Vietnamin. Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është pas Malit të Zi që rënditet në vendin e 63, dhe pas Maqedonisë së Veriut që renditet në vendin 76. Nuk ka si me pasë vlerësim ndryshe kur në raportin e fundit për vendin të Komisionit Evropian (fq. 71-72) thuhet se vetëm në vitin e fundit janë lidhë 2140 kontrata pa publikim të tenderit dmth. me negocim të drejtpërdrejtë/njëburimore. Ka propagandë, nuk ka luftë kundër korrupsionit!”, ka shkruar Bajrami.