Bajrami: Për komunat është sfiduese hapja e shkollave
Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkences, Teknologjisë dhe Inovacionit Hykmete Bajrami, ka folur për procesin e hapjes së shkollave pas gjendjes me pandeminë Covid-19 në Kosovë.
Bajrami në Specialen në Klan Kosova tha se po shqyrtohet mundësia që këtë kohë të mbetur nxënësit të kthehen në shkolla.
“Jemi në fund të gjysmevjetorit të dytë. Kemi qenë të interesuar që bile të paktën këtë kohë të i kthejmë nxënësit në shkolla. Kemi qenë në kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë z. Vitia dhe me kryesuesin e IKSHPK-së z. Ramadani”.
“Në qoftë se ndodh kthimi në shkolla duhet të respektohen rekomandimet e Institutit, duke mbajtur distancën prej 2 metrash, duke mbajtur maska edhe doreza. Po ashtu duhet edhe të dezinfektohet edhe çdo objekt shkollor që përdoret në procesin edukativ-arsimor”.
“Është diskutuar edhe mbajtja e provimit të maturës dhe testit të arritshmërisë duhet të mbahet në afat kohor prej dy javësh prej njëri-tjetrit”.
Kthimi në procesin mësimor do të jetë sfiduese për komunat.
“Nuk ka logjistikë edhe është sfiduese për komunat kthimi i nxënësve në shkolla, sepse komunat nuk kanë logjistikë dhe financa. Pra, nuk kanë kontrata me kompanitë që e dezinfektojnë objektet”, ka thënë Bajrami.
E para e MASHTI-it theksoi se ka pasur edhe një skenar tjetër për rifillimin e mësimit.
“Ne kemi edhe një skenar që t’i kthejmë fillimisht parafillorët, klasa e parë, të pestë, të nëntë dhe 12-ta në shkollë. Kjo për faktin se parashkollorët vitin tjetër fillojnë shkollën, klasa e parë për shkak të mësimit të Abetares, klasa e pestë per shkak se nxënësit fillojnë mësimin me arsimtarë, klasa e nëntë dhe 12-të për shkak të maturantëve për provimin shtetëror të maturës”.
Ajo tha se të enjten ose të premten mund të ketë një përgjigje se a mund të kthehen nxënësit në procesin mësimor.