Bajrami për kontratat me negocim në MMPHI: S’po punohet, por po vidhet
Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami, ka propozuar që raporti i auditimit për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të dërgohet direkt në Kuvend meqë ministri Liburn Aliu nuk ka shkuar në komision.
Bajrami ka përmendur kontratat e dhëna me procedurë të negocimit në vlerë 78 milionë euro nga MMPHI-ja, derisa ia ka kujtuar Lëvizjes Vetëvendosje se sa ka qenë në opozitë këto kontrata i ka cilësuar si korrupsion.
Ajo ka thënë se këto kontrata janë dhënë përmes telefonit, me “dosta”,
“Janë 78 milionë, jo sipas opozitës, jo sipas Hykmetes, por sipas raportit të Komisionit Evropian. E keni krijuar narracionin që s’po punojnë, po s’po vjedhin. Në fakt me u vjedh është duke u vjedh, por s’po punohet sepse s’ka asnjë projekt që e ka përfunduar ministria. E kontratat njëburimore, edhe ju 15 vjet kur keni qenë në opozitë, nëse është lidh ndonjë, i keni quajtur korrupsion. Duam me vazhduar me i cilësuar të njëjta. 78 milionë me telefona, sepse ato bëhen me njerëz që njihen, e thirr dostin në telefon, i thua eja negociojmë për një tender 3 milionësh”, ka thënë Bajrami.
Më tutje, Bajrami ka thënë se Ministria e Infrastrukturës ka “dy ministra”.
Ajo ka thënë se edhe zëvendësministri Hysen Durmishi i nënshkruan tenderët, që sipas saj nuk ka ndodhur asnjëherë në qeveritë e kaluara.
“E ke të pamundur me e mbrojtë ministrin sepse në kabinetin e Ministrisë së Infrastrukturës i keni dy ministra, jo një, sepse është edhe Durmishi… Janë dy ministra, për faktin se e keni edhe një zëvendësministër i cili nënshkruan tender që nuk ka ndodhë asnjëherë në historinë e qeverive të tjera”, ka thënë Bajrami në Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike. /EO