Bajrami për ministrat e qeverisë Kurti: A janë analfabetë funksionalë apo na trajtojnë të gjithëve si të tillë?
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është duke i bërë “kërrsh përqindjet”.
Bajrami këtë deklaratë e ka dhënë pasi Nagavci në një paraqitje televizive ka thënë se gjatë mandatit të saj janë ndërtuar 850 për qind më shumë çerdhe se sa gjatë viteve 2003-2020.
“Ministrja Nagavci paska thënë më KTV se gjatë mandatit të saj janë ndërtuar 850 për qind më shumë çerdhe se në gjatë viteve 2003-2020, sipas saj i bie që prej vitit 2003 deri në vitin 2020 në Kosovë është ndërtuar një gjysmë çerdhe. Kjo mandej e ka rritë numrin për 850 për qind, pra prej 1/2 tash janë bërë 4”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.
Në këtë kontekst, Bajrami i është drejtuar qeverisë së drejtuar Albin Kurti me pyetjen: “a janë analfabetë funksionalë apo na trajtojnë të gjithëve si të tillë?!”.
“Për besë s’di njeri a me qeshë a me qajtë”, ka shkruar Bajrami.