Bajrami përfaqëson Kosovën në Asamblenë për Bashkëpunim të Evropës Juglindore
Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka marrë pjesë në takimin e Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, me temën “Mundësitë për bashkëpunim ekonomik ndërmjet vendeve pjesëmarrëse në procesin e bashkëpunimit të Evropës Juglindore”, organizuar nga Asambleja e Madhe Kombëtare Turke në Stamboll, më 9-11 mars 2018.
Delegacionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës e ka përfaqësuar deputetja Hykmete Bajrami, anëtare e delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore.
Deputetja Bajrami, në fjalën e saj ka prezantuar progresin që ka bërë Kosova në përmirësimin e klimës së investimeve, ka folur për potencialet e vendit, si dhe për gatishmërinë e të gjitha institucioneve për bashkëpunim ekonomik rajonal.
Qëllimi i këtij takimi ishte intensifikimi i bashkëpunimit të ndërsjellë dhe të barabartë midis vendeve pjesëmarrëse, në fushën ekonomisë, energjisë, infrastrukturës dhe bashkëpunimi tregtar.
Takimin e ka kryesuar Turqia, e cila njëherësh ishte dhe nikoqire.
Përveç Kosovës, pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe deputetët përfaqësues nga Shqipëria, Slovenia, Bosnjë e Hercegovina, Kroacia, Greqia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Në fund të takimit anëtarët e Komisionit miratuan raportin dhe rezolutën.